Lakror me Purri dhe Qepë të Reja (Vegan)

Nevojiten:

  • Purri
  • Qepë të Reja
  • Krypë
  • 150g Miell gruri
  • 150g Miell misri
  • 660ml ujë
  • 1 vezë e lirit*

*Për të bërë 1 vezë të lirit: përzieni 1 lugë gjelle fara të bluara të lirit me 3 lugë gjelle ujë. Lëreni të qëndrojë për 15 minuta që të trashet.

Mbushja

Me vaj dhe krypë për shije, fërgojmë purritë dhe qepët e reja derisa të zbuten. Fikni zjarrin dhe bëni brumin.

Brumi

Në një enë, përzieni 440 ml ujë me miellin dhe vezën e lirit për të krijuar një brumë të hollë.

Lakrori

Lyejeni një tepsi të madhe me vaj. Hidhni ¾ e brumit. Shtoni përzierjen e purrive. Trazoni që të shpërndahen në mënyrë të barabartë.

Shtoni edhe 220 ml ujë në brumin e mbetur. Përzijeni. Hidhni këtë përzierje të brumit më të hollë sipër në tepsi.

Pjekni tepsinë me lakror në fund të furrës në temperaturën 180C/350F për 30 minuta.

Pas 30 minutash zhvendosni lakrorin në mes të furrës dhe e pjekni edhe 15 minuta të tjera.

Hiqeni nga furra kur të marrë ngjyrë kafe të artë.

Shoqërojeni me një sallatë me spinaq dhe falenderoni shqiptaren tuaj që është një gatuese kaq e mrekullueshme.

tepsi me lakror
Lakrori merr ngjyrë të kaftë të artë kur të pjeket

Kjo recetë është frymëzuar nga një përrallë e një 12-vjeçareje në Elbasan, botuar në vitin 1932, bazuar në rregullat e drejtshkrimit nga Kongresi i Manastirit (1908).

MIU

Nga Fila Vasil Çerekes, vjeç 12

Nji herë nji plak e nji plakë nuk kishin fëmi. Nji ditë, kur plaku do shkonte n’arë për me punu, i tha grusë vet, “Gru, a e shef atë kungull? Merr e ban nji laknurë,” ene gruja i tha, “Mirë.”

Masi iku i shoqi, murë e tëhulli petat, ene murë e e çau kungullin. Po ke kungulli, tyke e çamë, i dulë nji mi, të cilin e murë ene e bani birë, i tha, “Birë, t’i çosh bukën babajt.” Miu iu përgjegj, “Mirë, nanë.” Pas nji copë here i tha s’amës, “E bane laknurin?” “E bana, birë,” i tha ajo. Ene murë gomarin e i ngarkoi shtamën me ujë, ene laknurin e vu përsipër samarit, ene u nis e hyni ke brima e veshit të gomarit, e kështu u nis për me shku në arë.

Tyke ecëm udhës, kur po i afrohesh arës, ky i tha t’jatit, “O baba are, ka t’i bie una mezit apo qenarit?” I ati i tha, “O birë i babajt, mezit,” ene miu hante mezin e laknurit.

Si mori mezin miu, i tha t’jatit përsi, “O baba are, ka të shkoj una qenarit apo mezit? I ati i tha, “Qenarit, o birë i babajt, qenarit.” Ky hangër ene qenarin e laknurit, deri sa u maru krejt.

Kur shkoi ke i ati, “Ku e ke bukën?” i tha. Miu u përgjegj, “E hangra.” I ati i tha, “Qysh e hangre pa mua laknurin?” Miu u përgjegj, “O mre baba, qysh flet ashtu? Vetë më thoshje, “Shko mezit,” ene un haje mezin e laknurit. Ti më thoshje, “Shko qenarit,” ene un haje qenarin e laknurit. E kështu u maru krejt.”

Këndime Englisht-Shqip, përmbledhur nga Margaret Hasluck, 1932

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.