Hashure është një puding gruri shumë i shijshëm. Është desert i lashtë që në trevat Shqiptare njihet edhe si “qyshkek”, dhe është shërbyer për dasma e festa të ndryshme, si për Darkën e Lamës.
Përbërësit kryesorë janë: gruri i qëruar, frutat e thata, arrat e ndryshme dhe sheqeri. Në vend të sheqerit mund të përdorim shurup panje.
Përbërësit
Do të përdorim:
- 300 gr grurë i qëruar
- Fruta të thata. Rreth 50 gr prej secilës:
- Fiq (të grimcuar)
- Hurma (të grimcuara)
- Qërshi
- Boronica
- Boronica të kuqe
- Arra (të grimcuara)
- Bajame (të grimcuara)
- Disa shkopinj kanelle
- 1 lugë të madhe krypë
- 1 gotë shurup panje për ëmbëlsim
- 1-2 lugë të mëdhaja niseshte
- Pluhur kanelle
- Disa shega për dekorim
Së pari e shpërlajmë grurin dhe e vëjmë të vlojë në një tenxhere me rreth një litër ujë. Kur të vlojë uji, e ulim temperaturën, e përziejmë grurin dhe i hedhim disa shkopinj kanelle dhe një lugë krypë. E përziejmë, ia vëjmë kapakun dhe e lëjmë të vlojë për dy orë në temperaturë të ulët. Gjatë kësaj kohe mund të grimcojmë arrat dhe frutat.
E tretim niseshten me pak ujë të ftoftë. Pasi të zihet gruri, i heqim shkopinjtë e kanellës dhe i shtojmë rreth një litër ujë të vluar dhe niseshten e tretur. Niseshtja e bën të trashet–mos i qitni më shumë se dy lugë.
E përziejmë dhe i shtojmë frutat e thata dhe arrat një nga një. Poashtu e shtojmë edhe shurupin e panjës. E përziejmë dhe e lëjmë të zihet edhe pak në temperaturë të ulët që të trashet dhe të lirojnë shijen frutat e arrat. E fikim zjarrin dhe pasi të ftofet pak e vendosim nëpër enë të ndryshme për shërbim dhe ruajtje. E dekorojmë me pluhur kanelle, me arra të grimcuara dhe fara të shegës, sipas dëshirës.
Mund të shërbehet e ngrohtë ose e ftoftë. Hashurja do të vazhdojë të trashet me kohë dhe shija bëhet edhe më e mirë pasi të rrijë në frigorifer.
Ju bëftë mirë!