Fasule Kosovare

Përbërësit

English

Për 4-6 persona nevojiten: 
  • 454g (1lb) fasule të bardha të terura "Great Northern" ose "Baby Lima"
  • 2 litra ujë (x2)
  • 1 qepë e bardhë mesatare
  • 3-4 thelba hudër
  • 1-2 speca të vegjël kopshti
  • 1 lugë e madhe gjalpë ose vaj luledielli
  • 1 lugë e madhe miell të bardhë
  • 1/2 lugë e madhe biber të kuq jo djegës
  • 1/4 lugë e vogël biber të kuq djegës (opcionale)
  • 1/2 lugë e vogël kripë
  • 1/4 lugë e vogël biber të zi
Koha e përgatitjes: 1 orë + zbutja gjatë natës.

1 lugë e madhe = 15ml
1 lugë e vogël = 5ml

1. Zbuten fasulet

Fasulet e terura shpërlahen me ujë të ftohtë, pastaj vihen në tenxhere mesatare dhe lihen të zbuten në ujë gjatë natës. Të nesërmen iu ndërrohet uji dhe zihen në ujë të freskët.

2. Zihen fasulet

Fasulet e zbutura shpërlahen përsëri dhe vihen në tenxhere mbushur me ujë të freskët për t'u zier. Zierja fillon me temperaturë maksimale. Kur të kenë vluar për herë të parë, ulet temperatura dhe vazhdojnë të zihen në temperaturë të ulët për rreth 30-40 minuta, deri sa të jenë zbutur fasulet (pa e humbur formën).

3. Fërgohen qepët e specat

Në ndërkohë, grihet qepa, imët. Poashtu grihen specat dhe hudra. Fërgohen të gjitha në një fërtere me gjalpë ose vaj në temperaturë mesatarisht të lartë: së pari shtohet qepa me hudër; pasi të zbutet qepa—rreth 5-7 minuta—shtohen specat, kripa e biberi i zi. Përzihen herë pas here që të mos digjen. Pasi të jenë zbutur të gjitha—rreth 15-20 minuta—ulet temperatura dhe iu shtohet një lugë miell. Përzihen vazhdimisht për 1 minut derisa të fillojë të skuqet mielli. I shtohet biberi i kuq dhe vazhdon përzierja me kujdes edhe për 1 minut. Pastaj shtohen disa lugë ujë të vluar nga tenxherja me pasule. Përzihet masa dhe vazhdon të zihet edhe 1-2 minuta.

4. Fërgesa i shtohet fasuleve

Fërgesa i shtohet fasuleve në tenxhere. Fërgesa me miell e bën supën të trashet. Poashtu i jep shijen e perimeve të fërguara dhe ngjyrën e biberit të kuq. Përzihen të gjitha dhe zihen në temperaturë të ulët edhe për 10 minuta. Fasulet shërbehen të ngrohta në pjatë të thellë të supës.

Fasule të ngrohta të shijshme për një ditë të zymtë dimri.



Comments

Popular Posts